SHBA, 18 mars 2013- Një shtëpi në Los Angeles, e famshme për “makthet” e shkaktuara në sagën e famshme të horrorit të viteve ’80 ‘A nightmare on Elm Street’, është shitur për 2.1 milionë dollarë pas një rinovimi masiv.
Kjo shtëpi ka qenë ikonë e skenave më të frikshme dhe më shokuese të filmit horror të regjisorit Wes Craven. Në vitin 2008 Angie Hill e bleu në gjendje të mjeruar për 1.5 milionë dollarë dhe ka shpenzuar një vit për ta rikonstruktuar.
“Ishte e vetmja shtëpi e rrugës që ishte e shkatërruar. Pishina kishte 10 vite që nuk ishte prekur dhe uji ishte i zi”, shprehet Angie për ‘AOL Real Estate’.
Tashmë shtëpia është kthyer në një vend ëndrrash pasi është rikonstruktuar e gjitha duke mos lënë asnjë gjurmë të banesës ku personazhi Freddy Krueger terrorizonte fëmijët në ëndrrat e tyre.