Shitja e armëve në botë vazhdon të rritet pa u ndalur nga viti në vit. Eksportuesit kryesorë botëror të armëve dhe pajisjeve ushtarake kanë publikuar të dhënat e tyre për 2011. Gjermania tregon rritjen më evidente në furnizimin e armëve gjatë viteve të fundit, ndërsa shitësit kryesorë të pajisjeve ushtarake në nivelin botëror – SHBA dhe Rusia – po rrisin performancën e tyre.
Në SHBA, volumi i shitjeve të armëve, pajisjeve dhe shërbimeve ushtarake është llogaritur në 34.8 miliardë dollarë për vitin tatimor 2011. Këto shifra janë botuar në raportin e Zyrës së Kooperimit Ushtarak (Office of Military Cooperation) të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA. Në vitet e fundit, shitjet e prodhuesve amerikanë të armëve kanë treguar qëndrueshmëri dhe llogariten mbi 30 miliardë dollarë. Megjithatë, eksportuesit amerikanë nuk kanë arritur objektivin e volumit të planifikuar. Sipas agjencisë së lajmeve ekonomike Bloomberg, në 2011 plani ishte parashikuar për 46 miliardë dollarë. Shitjet e menaxhuara nga Furnizuesi Ushtarak për Jashtë (Foreign Military Supply) me një marrëveshje me qeveritë e huaja dhe me ndërmjetësinë e Zyrës së Kooperimit Ushtarak kanë arritur në 28.3 miliardë dollarë nga 36.3 miliardë dollarë të planifikuar. Megjithatë, raporti tregon se në 2012 analistët parashikojnë një kërkesë më të ulët për këto produkte. Në këtë pikëvështrim, shitjet totale për vitet e ardhshme janë parashikuar të arrijnë shifrën e 30 miliardë dollarëve. Ia vlen të theksohet se kjo shumë nuk është përfundimtare por mund të jetë e rillogaritur.
Nga ana e saj, në 2012 Rusia parashikon të rrisë eksportin e armëve afërsisht në 10 miliardë dollarë, pra 1 miliard dollarë më shumë se vitin e shkuar. Rezultati përfundimtar do të jetë i kushtëzuar nga humbja e tregjeve në Afrikën veriore, veçanërisht Libia. Kontratat me Libinë do t'i kishin mundësuar “Rosoboronexport” të kapërcente kufirin e 10 miliardë dollarëve. Drejtori i përgjithshëm i “Rosoboronexport”, Anatoly Isaikin, llogarit humbjen e të ardhurave me 4 miliardë dollarë. Partnerët tregtarë kryesorë të Rusisë në këtë sektor janë India, Kina dhe Algjeria. Rusia është duke punuar aktivisht edhe me tregjet e Brazilit, Venezuelës, Indonezisë, Malajzisë, Sirisë dhe Vietnamit. Rreth 50% të shitjeve të armëve ruse e përbën aviacioni, kryesisht aeroplanë luftarakë “Su” dhe “MiG”. Modele të ndryshme të “Su-30” rusë janë eksportuar sidomos në Azinë juglindore. Midis blerësve janë India, Kina, Vietnami, Indonezia dhe Malajzia. Pastaj vijnë pajisjet për mbrojtjen nga ajri, armët për ushtrinë dhe pajisjet për flotën ushtarake. Më shumë se gjysma e eksporteve përbëhet nga armët dhe pajisjet ushtarake, ndërsa rreth 20% nga pjesët e këmbimit, 10-15% nga pajisje dhe pjesë të çmontuara dhe pjesa tjetër nga specialistët dhe shërbimet. Kina dhe India janë klientët më të rëndësishëm të sektorit të armatimit të marinës ushtarake. Në sektorin e mbrojtjes nga ajri, Kina mbetet një blerës aktiv, ndërsa një numër i konsiderueshëm tankesh ruse blihen nga India. Vlera totale e kontratave për tre vitet e ardhshme është 36 miliardë dollarë, por kjo shifër mund të ndryshojë. Në fund të 2012 kërkesat mund të arrijnë 35-38 miliardë dollarë.
Eksporti i armëve nga Gjermania ka shënuar rritje të fortë gjatë 2010. Berlini i shiti vendeve të tjera armë dhe pajisje ushtarake me vlerë prej 2.1 miliardë euro, d.m.th. 60% më shumë sesa në vitin 2009. Industria gjermane e mbrojtjes ka fituar një kontratë të çmuar këtë vit: siç u raportua nga media gjermane, Arabia Saudite do të blejë 270 tanke “Leopard 2” nga Berlini, dhe ekspertët mendojnë se Riyad nuk do të paguajë më pak se 1.7 miliardë euro për këtë kontratë.