Teuta vazhdon me përgatitjet intensive në Ohër, me stafin teknik që sa vjen edhe e ka rritur më tepër ngarkesën për të përballuar një sezon të gjatë. Gjendja e skuadrës duket e kënaqshme, ndërsa nuk ka dëmtime. Merkatoja ka qenë tepër cilësore, por mbrojtja është reparti i vetëm që nuk ka pasur përforcime dhe këtë fakt e pranon edhe mbrojtësi Silvestër Shkalla, i cili është një nga lojtarët më me eksperiencë te Teuta. 22- vjeçari thotë se skuadra ka bërë një punë të mirë në fazën përgatitore, ndërsa shpalos objektivat për 2018-’19. 

Prej tri javësh keni filluar punën për sezonin e ri, a e keni arritur formën e duhur? 

Vinim pas disa javësh pushim dhe kjo fazë ishte tepër e rëndësishme për të rigjetur formën. Skuadra gëzon një formë të mirë dhe kjo falë stafit teknik që ka bërë një punë shumë të mirë me ne. Jemi të kënaqur, por e mira nuk ka fund dhe nuk duhet të kërkojmë gjithmonë më të mirën.

Në mbrojtje, Teuta ka pasur shumë probleme në sezonin e fundit, çfarë duhet të bëni mirë këtë fushatë? 

Vjet nuk kemi pasur stabilitet, ndryshimet e shpeshta në formacion besoj se patën ndikimin e vet. Gjithashtu ishte një ekip i ri, nuk njiheshim shumë me njëritjetrin, ndërsa edhe kemi gabuar. Tani duhet të jemi më të qetë, por kemi nevojë për përforcime.

Në këtë moment jeni vetëm ju dhe Vogli të gatshëm, shumë pak opsione për një sezon… 

Sigurisht, duhen të paktën edhe dy afrime, për të pasur nga një alternativë për secilin prej nesh. Besoj dhe jam i sigurt se do të vijnë të paktën edhe dy mbrojtës qendre. Konkurrenca e madhe na përmirëson edhe më tepër, ndaj them se është nevojë jetike përforcimi në këtë repart. 

Përforcimet në repartet e tjera, çfarë përshtypjesh ju kanë lënë? 

Të them të drejtën, gjatë kësaj periudhe janë afruar lojtarë shumë cilësorë dhe kanë treguar një nivel të lartë. Disa prej tyre nuk janë shumë të njohur për Superiore, por kanë për t’iu befasuar. Kanë shumë kualitet dhe këtë do ta tregojnë gjatë sezonit. 

Si është të punosh me Shkëmbin e stafin e tij teknik? 

Kemi një marrëdhënie shumë të mirë, është një trajner shumë i zoti. Di kur duhet të tërheqë vëmendjen dhe të bërtasë, por gjithashtu tregohet edhe si shok me ne. Besoj se kemi për të bërë një sezon të mirë dhe do të shohim vendet e para në klasifikim.

Me çfarë synimesh do të futet Teuta në këtë sezon?

Sigurisht ne shohim lart, por e rëndësishme është që të luajmë mirë dhe të kemi vazhdimësi. Fillimisht duhet të mendojmë të fitojmë vetëm ndeshjen e radhës, më pas ambiciet do të rriten, por do të jemi dinjitozë në këtë sezon.