Ndërprerja e kampionatit ka bërë që trajneri Magani ta lërë ekipin dy ditë pushim dhe sot do të nisë puna për ndeshjen e radhës. Në përballjen ndaj Laçit, Teuta ka mundësi të rikuperojë edhe Ardit Hilën, ndërsa Hodo do ta ketë të pamundur që të jetë i gatshëm. Mungesë e sigurt do të jetë Progni, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Mbrojtësi Silvester Shkalla u shpreh se Teuta do të shfrytëzojë në maksimum ndërprerjen e kampionatit, në mënyrë që ta përgatisin sa më mirë përballjen me Laçin.
"Ndërprerja e kampionatit, për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, do të na shërbejë shumë si ekip, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për sfidën ndaj Laçit. Ne do t’i shfrytëzojmë në maksimum këto ditë pushimi të kampionatit. Trajneri së bashku me ne do të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur.Fatmirësisht, në ndeshjen e fundit morëm pikë dhe kjo na ka dhënë më shumë besim. Teuta është në gjendje të mirë dhe duhet vetëm të përgatitemi siç duhet, në mënyrë që të marrim pikët maksimale. Një fitore ndaj një rivali direkt si Laçi ka vlerë dyfishe. Kemi zhvilluar takime të mira, por duhet të fokusohemi vetëm te pikët, që janë më të rëndësishmet në këto momente.Trajneri po punon shumë me ekipin, por dhe skuadra po tregon vullnet dhe dëshirë që të largohet sa më shpejt nga zona e ftohtë. Janë shumë ekipe që rrezikojnë dhe ne duhet të dalim nga ajo listë. Nuk kemi ekip për të rënë dhe këtë e kemi treguar në fazën e tretë. Kam besim të plotë se ekipi do të dal me kokën lart në fund”, u shpreh Silvester Shkalla.