Pas shkarkimit nga detyra të drejtuesit të Policisë së Tiranës, si reagim pas konfliktit të ndodhur më herët ditën e sotme në zonën te "Petro Nini", ka reaguar edhe ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji.
Në një postim të bërë në "Facebook" ai ka ironizuar Sandër Lleshajn, ndërsa shkruan se "Pasi i përdorin pa mëshirë kundër popullit të tyre, Rama dhe Lleshaj po largojnë drejtorët e policive në përpjekje pêr të pastruar imazhin e tyre si politikanët më të urryer!".
Reagimi i plotë i Salianjit:
Lleshaj si Ponc Pilati!
Pasi i përdorin pa mëshirë kundër popullit të tyre, Rama dhe Lleshaj po largojnë drejtorët e policive në përpjekje per të pastruar imazhin e tyre si politikanët më të urryer!
Policia u përplas 6 orë me gra dhe fëmijë të pambrojtur në hall, me urdhër të Sandër Lleshajt, me dijeninë dhe me miratimin e tij dhe të kryeministrit. Tani është shumë vonë që të shfaqet i pafajshëm dhe të lajë duart si Ponc Pilati.
Presioni i opinionit publik po i bën të reagojnë në panik dhe të bëhen qesharakë. Policët e dinë se Drejtori i Tiranës është larguar tre ditë më parë nga detyra.
Rama dhe Lleshaj e kanë vulosur fatin e çdo polici në këtë shtet. Ata po i përdorin në mënyrë të paligjshme prej tyre dhe, në momentin kur prishin punë, do i flakin si limona të shtrydhur. Këtë ka bërë Rama me paraardhësit e tyre, këtë ka bërë edhe me gjyqtarët dhe prokurorët. Të gjithë të përdorur për pushtetin personal të Ramës!
Në 16 Mars të gjithë në këmbë për Shqipërinë!





