Kryeministri Rama tha se për shkarkimin e Ilir Metës do të presin vendimin e Komisionit të Venecias. Sipas Ramës, nuk kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë, por janë “detyruar” për një proces të konsoliduar dhe se ai vetë dhe qeveria besojnë ste këto lloj procesesh.
Ndërkohë, Rama i pyetur për një negociatë të mundshme me Bashën, me apo pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve tha se nuk ka asgjë të tillë. Për Ramën, urë komunikimi të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë nuk ka, por vuri në dukje se në shtator, ai është gati të negociojë.
Sipas Ramës, “nuk ka asnjë që po mundohet të bëjë krushqinë me Bashën”, ndërsa deklaroi se vetë ai në shtator, pas pushimeve është për nisjen e një dialogu me opozitën joparlamentare.
Rama vuri në dukje se “është i gatshëm për dialog, por jo të gatshëm të negociojmë asgjë në lidhje me vullnetin e popullit”, ndoshta duke nënkuptuar me këtë se nuk mund të pranojë largimin e tij, sepse, e konsideron si vullnet të popullit që e ka zgjedhur.
“Ka detyra më të rëndësishme për mua dhe qeverinë, sesa të pres Lulzim Bashën, apo Monika Kryemadhin, duke marrë energjitë e mia dhe tonat për këtë çështje”, tha Rama.





