Gjatë hapjes së fushatës elektorale në Shkodër, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi shkarkimin e disa punonjësve dhe zyrtarëve të administratës nga ministrat teknikë të propozuar nga PD. Basha tha se do shkarkohet çdo zyrtar që përdor pushtetin për të shtrembëruar votën e shqiptarëve dhe ky është vetëm fillimi.
“Ministrat teknikë janë garantë të zbatimit të kësaj marrëveshje. Janë shkarkuar disa zyrtarë të përfshirë në fushatë. Gjithashtu para se të vija këtu më njoftuan se u shkarkua edhe drejtori i hipotekës në Shkodër. Do shkarkohet çdo zyrtar që përdor pushtetin për të shtrembëruar votën e shqiptarëve. Le të themi frazën që na ka vrarë veshin këto 4 vite, ky është vetëm fillimi. Ju tashmë jeni gardianë të votës suaj. Ju që jeni mësuar të shkelni ligjin ju pret burgu. Ne vijmë me këto zgjedhje më të bashkuar se kurrë. Për ta pushteti ishte mjet përfitimi”– tha Lulzim Basha.





