Kosovë, 30 korrik 2014 – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë vendim për kthimin e menjëhershëm në Prishtinë të të ngarkuarit me punë të Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti pas komentit të tij për Sali Berishën, ku e quante atë psikopat.

Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri”, këshilltari politik i ministrit Enver Hoxhaj, Bashmir Xhemaj.

“Komentet e tij nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve të Kosovës. Ministri Hoxhaj personalisht dhe i tërë populli i Kosovës i janë mirënjohës ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për kontributin e tij të madh për Kosovën”,ka thënë Xhemaj.

Ngjarja

Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti sot ka shkaktuar një skandal diplomatik.

Ai ka fyer ish kryeministrin e Shqipërisë, tashmë deputetin e PD-së, Sali Berisha.

Ahmeti e ka quajtur psikopat Sali Berishën dhe e ka shtruar pyetjen se si mundet që një pjesë e popullit të Kosovës ta duan atë. Madje ka shkuar edhe më larg duke thënë se populli i Kosovës nuk mendon me logjikë.

Ja statusi i tij:

“Defenitivisht ky njeri nuk eshte normal. Cuditem se si ka mundesi te duhet ky psikopat nga nje pjese e shqiptareve te Kosoves…

Por edhe nuk duhet te cuditem se shume rralle populli i Kosoves mendon me logjik, mendim kritik dhe aftesi gjykuese. Deshmitar jemi edhe tani”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/