Pas shkarkimit të prokurores së përgjithshme Pam Bondi, dje, 2 prill, u njoftua edhe tërheqja e menjëhershme nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, gjeneralit Randy George. Vendimi është kërkuar drejtpërdrejt nga sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili, sipas burimeve, e konsideronte atë si pengesë për planet e tij për zhvillimin e ushtrisë.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, bëri të ditur se George “do të tërhiqet nga detyra e tij si shefi i 41-të i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me efekt të menjëhershëm”. Ai shtoi se Departamenti i Mbrojtjes i është mirënjohës për dekadat e shërbimit të tij dhe i uroi suksese në të ardhmen.
Sipas burimeve të CBS News, Hegseth synon që posti të mbahet nga një figurë më e përshtatshme për të zbatuar vizionin e presidentit Donald Trump për ushtrinë. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes deklaroi se “kishte ardhur koha për një ndryshim në drejtim”.
Në vend të George do të emërohet zëvendësshefi aktual i Shtabit të Ushtrisë, gjenerali Christopher LaNeve, ish-ndihmës ushtarak i Hegseth. Parnell e përshkroi atë si “një drejtues të provuar, me dekada përvojë operacionale dhe që gëzon besimin e plotë të sekretarit”.
George ishte emëruar në këtë detyrë nga presidenti Joe Biden dhe ishte konfirmuar nga Senati në vitin 2023, çka do t’i lejonte të qëndronte në detyrë deri në vitin 2027. Largimi i tij vjen pak ditë pas vendimit të Hegseth për të hequr pezullimin ndaj një ekuipazhi që ishte kapur duke fluturuar mbi shtëpinë e Kid Rock në Nashville gjatë fundjavës së kaluar.
Pezullimi, i shpallur nga ushtria, u anulua nga Hegseth me një mesazh në rrjetin social X: Asnjë ndëshkim. Asnjë hetim. Vazhdoni përpara, patriotë. Sipas burimeve të brendshme, megjithatë, pensionimi i George nuk lidhet me këtë rast.
Ndërkohë, George nuk është i vetmi që ka humbur postin në ushtri. Sipas The Washington Post, edhe dy oficerë të tjerë janë shkarkuar: gjenerali David Hodne, i cili drejtonte Komandën për Transformimin dhe Trajnimin e Ushtrisë, si dhe gjeneralmajori William Green, drejtues i Korpusit të Kapelanëve të Ushtrisë.
Gjatë mandatit të tij, Hegseth ka shkarkuar më shumë se një duzinë zyrtarësh të lartë ushtarakë, përfshirë kryetarin e Shefave të Shtabeve të Përbashkëta, gjeneralin C.Q. Brown, shefen e operacioneve detare, admiralen Lisa Franchetti, zëvendësshefin e Shtabit të Forcave Ajrore, gjeneralin James Slife, si dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, gjeneral-lejtnantin Jeffrey Kruse.





