Aventura e Vincenzo Montellës në stolin e Fiorentinës ka përfunduar zyrtarisht teksa drejtuesit e klubit i kanë komunikuar teknikut shkarkimin, ndërsa më pas kanë bërë edhe një deklaratë zyrtare për vendimin.

Gjithçka erdhi pas humbjes së thellë 1-4 mbrëmjen e djeshme në “Artemio Franchi” përballë Romës, që duket se bindi presidentin Commisso të shkarkojë Montellën, duke qenë se skuadra vjollcë kishte arritur të grumbullojë vetëm 17 pikë në po kaq javë të kampionatit dhe është shumë pranë zonës së ftohtë.

Ka qenë Drejtori Sportiv Prade dhe krahu i djathtë e presidentit Commisso, Joe Barone, ata që kanë marrë përsipër komunikimin e vendimit për Montellën, ndërsa në deklaratën për mediat thuhet se po tentohet t’i jepet një zgjidhje e menjëhershme sezonit.

Ndërkohë ka nisur menjëherë të pasurohet lista me emrat e trajnerëve kandidatë për të zëvendësuar Montellën, ku i preferuari i presidentit Commisso mbetet Luciano Spalletti, ndërsa më të mundshëm janë emrat e Prandellit, Ballardinit e Iachinit.Vincenzo Montella ka drejtuar dy herë Fiorentinën, teksa fillimisht u emërua trajner në periudhën 2012-2015, ndërsa më pas u rikthye në prill të këtij viti për të zëvendësuar Stefano Piolin që kishte dhënë dorëheqje.