Kreu i grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi nëpërmjet një reagimi në Facebook, shprehet se emërimi i rrethit të ngushtë të Belinda Ballukut në postet e mbajtura prej saj, tregon qartë se Rama nuk është më një kryeministër i lirë. Ai zbaton urdhrat e të pandehurës Balluku.

Reagimi:

Një javë më parë paralajmëruam në Parlament ndryshimet në qeveri! Jo se hedhim fall apo shohim filxhan, por ata që rrethojnë Ramën flasin. Aty ku duhet….Herë pas here…

Por edhe pa këta, faktet tregojnë se Edi Rama po ushtron detyrën e zëdhënësit, të avokatit, por jo të kryeministrit! Emërimi i rrethit të ngushtë të Belinda Ballukut në postet e mbajtura prej saj provon se Edi Rama nuk është më një kryeministër i lirë! Ai thjesht zbaton urdhrat e të pandehurës Belinda Balluku, sepse është e qartë se Edi Rama është në krye të sistemit të korruptuar që është ngritur në Shqipëri.

Dhe pyetja që shtrohet sot është serioze: A është në gjendje Edi Rama të negociojë me Bashkimin Europian pa pengesa, pa shantazhe, pa frikën se Belinda Balluku e merr me vete? Përgjigja është e qartë, Edi Rama duhet të largohet që Shqipëria të ecë përpara në procesin e integrimit. Sepse integrimi nuk negociohet me ndryshim emrash, por me një standard të vetëm: askush nuk është mbi ligjin.