Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale të trafikut të drogës drejtuar nga një 29-vjeçar shqiptar.
Mediet italiane raportojnë se janë arrestuar 17 persona, (italianë, rumunë, shqiptarë dhe marokenë). Ata janë të moshës 20-30 vjeçare dhe akuzohen për trafikimin të lëndëve narkotike të rënda, veçanërisht të llojit kokainë dhe heroinë.
Operacioni policor ndodhi në provincën Val di Susa, në Turino, në Italinë veriore. Gjatë operacionit, policia ka kryer më shumë se 30 bastisje dhe ka bllokuar 40 llogari bankare të personave të akuzuar si pjesë e bandës.
Hetimet nisën në mars të vitit 2014, kur policia arrestoi nje person brenda një lokali të njohur me disa në doza kokainë në xhep. Përmes audio dhe video përgjimeve, policia ishte në gjendje të rindërtonte mënyrën dhe dinamikën se si funksiononte grupi i tregtarëve të drogës, por edhe metodat e përdorura për fshehjen e drogës nga furnizuesit, shkruan “La Stampa”.
Në veçanti, pikat e referimit ishin në vende publike, shtylla, madje edhe gurë ku ishin fshehur dozat e drogës. Kokaina dhe heroina përgjithësisht shpërndahej në lokalet e natës.
“Koka” e grupit një shqiptar
Në krye të grupit ishte një shqiptar 29 vjecar, rezident në këtë zonë që nga fëmijëria. Ai mbante kontakte me furnizuesit dhe në krye të bandës kishte edhe vëllanë e tij 23-vjeçar, i cili kishte avantazhin të ishte “PR” i bandës, pra personi që merrej me personat që blenin drogën në “Tabata”, lokal i njohur.
“Koka” e grupit jepte udhëzime për transportin e drogës, e cila gjithmonë duhet të ishte në qese plastike të hapura. Pra, për të shmangur kontrollet dhe ngritjen e dyshimeve te policia.





