Itali, 7 maj 2014 – Karabinierët e qytetit të Ravenës, pas një hetimi të kujdesshëm arritën në përfundimin se një bandë shqiptaro italiane (dy shqiptarë dhe dy italianë) është autore e vjedhjes me armë të sallës së lojërave të fatit “Admiral Club” në qytezën e Lugos në 6 prill 2014.
Pasi vodhën me armë sallën e lojërave të fatit, ata u larguan me një makinë Fiat Uno të vjedhur vetëm pak orë para grabitjes. Makina u gjet e djegur nga karabinierët, pak kilometra larg qytezës së Lugos.
Gjatë grabitjes me armë u rrëmbye jo vetëm xhiroja e ditës, por edhe një kasafortë, që u shkul me leva nga dyshemeja, ku ishte vidhosur.
Në total, gjatë grabitjes u vodhën mbi 4 000 euro. Dy shqiptarët autorë të grabitjes janë: Ardian Cullhaj, i datëlindjes 1986, me dokumenta të rregullta, banues në qytezën e Riolo Termes afër Ravenës dhe Roland Karaj, i datëlindjes 1994.
Karaj kishte hyrë në Itali vetëm me pasaportë shqiptare, sipas marrëveshjes për zbutjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë në vendet e zonës Shengen.
/gje.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





