Itali, 13 maj 2014 – Karabinieria italiane, mëngjesin e së martës, ndërmori një operacion të gjerë antidrogë në provincën e Venecias. Në operacionin “Alias” u përfshinë mbi 80 karabinierë, 50 automjete, një helikopter, njësi me qen kërkimi etj.

Banda kryesohej nga një shqiptar. Zëvëndës i tij ishte një tunizian, ndërsa “ushtarët” ishin italianë e shqiptarë. Sipas burimeve italiane ende të paplota, sepse operacioni po vazhdon, kapoja i bandës apo anëtarë të saj janë nga qyteti port i Durrësit. Deri tani mbi 20 persona janë vënë në pranga. Janë kontrolluar mbi 50 banesa, garazhe, bodrume, si edhe lokale për aktivitete biznesi.

Banda shpërndante jo më pak se tre kilogramë kokainë në javë në provincat e Venecias, Trevizos dhe Udines. Ajo furnizohej nga keqbërës, po shqiptarë, në periferi të Milanos dhe fshihej në shtëpi të braktisura fshati.

Një pjesë e fitimeve të bandës transferohej në Shqipëri dhe në vendet e Magrebit (Afrika Veriore). Pritet një konferencë shtypi e karabinierisë  italiane pasditen e së martës. Në të do të jepen më shumë hollësi për operacionin si edhe do të ofrohen gjeneralitetet dhe fotot e anëtarëve të kësaj organizate kriminale.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/