Autoritetet italiane kanë arrestuar 12 anëtarë një bande kriminale që ishin të përfshirë në vjedhjen e banesave në Padova. Policia italiane njofton se të arrestuarit janë të moshës nga 17 vjeç deri në 24 vjeç, 11 prej të cilëve janë shqiptarë, konkretisht nga qyteti i Laçit, kurse anëtari i 12 është një vajzë italiane.
Të rinjtë shqiptarë kishin mbërritur në Itali 4 ose 5 vite më parë dhe iu paraqitën autoriteteve si “të mitur të pashoqëruar”. Ata u mbështetën nga shërbimet sociale të shtetit italian deri sa arritën moshën madhore 18 vjeç.
Në krye të grupit ishin shqiptarët Mateus Delilaj, 21 vjeç me pseudonimin Tuci dhe Ibrahim Sokoli 18 vjeç që thirrej me pseudonimin Ibo.
Hetimet e policisë kishin filluar në vjeshtën e vitit të kaluar. Që prej atëherë deri tani janë evidentuar 50 raste të vjedhjeve nga banda kriminale. Sendet dhe objektet e vjedhura, shqiptarët i bënin publike në “Facebook”. Ata postonin foto me armë, makina, pije alkooli, dhe cigare hashash duke treguar jetën luksoze që bënin.





