Një mega operacion është zhvilluar nga policia italiane që ka vënë në pranga 38 persona që dyshohen se janë pjesë e një organizate kriminale.

Dyshohet se organizata ka lidhje me Kamorrën dhe mafien shqiptare për trafikun e drogës.

“Grupet trafikonin kokainë dhe hashash. Ata kishin lidhje me Kamorrën napolitane dhe mafian shqiptare”, tha Francesco Messina, shefi i Drejtorisë Qendrore të Antikrimit, në fjalën e tij në konferencën për shtyp.

Sipas medieve italiane, operacioni u koordinua nga prokurori i Antimafias së Leçes, Milto Stefano De Nozza, i cili ekzekuzoi 38 urdhra paraburgimi, nga të cilët 20 janë në arrest me burg dhe 18 në arrest shtëpie.

15 prej tyre supozohet se i përkasin klanit të vëllezërve Nicola dhe Giuseppe Pascali dhe i përgjigjen shoqatës mafioze që synon zhvatjen, tregtimin e drogës, blerjen dhe menaxhimin e aktiviteteve ekonomike.

Të dyshuarit e tjerë  i përkasin dy organizatave të tjera të trafikut te drogës.

Operacioni i sotëm u zhvillua pas hetimit për të shtëna me armë zjarri të ndodhur në vitin 2018.