Një operacion i gjerë policor me përfshirjen e policisë së Athinës, asaj të Selanikut dhe roje bregdetare ka çuar në zbulimin e një bande të strukturuar të trafikut të heroinës.
Mediat greke raportojnë se në kuadër të këtij operacioni është sekuestruar 59 pako me 28.708.5 gram heroinë, 5 kg 180 gram përzirës, një shishe me 520 gram lëndë e paidentifikuar, 4 pako të vogla me 90.1 gram heroinë, 4600 euro.
Droga është gjetur e fshehur në murin e një taverne në Athinë. Heroina, sipas mediave greke vinte nga Turqia dhe nga Shqipëria.
Mediat bëjnë me dije gjithashtu se është arrestuar kreu i grupit, një shqiptar 32-vjeç, si dhe dy anëtarë të bandës një tjetër shqiptar 34-vjeç dhe një vajzë greke 29-vjeç.
Ndaj 32-vjeçarit dhe 29-vjeçares ekzistonin urdhra arresti nga Prokurori i Athinës për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.





