Shkatërrohet një bandë italo-shqiptare grabitësish që vepronte mes Piemontes dhe Francës. Mes grabitësve është edhe një femër 25-vjeçare.
Të arrestuarit janë Arvit Sada, 34 vjeç, shqiptar, rezident në Cuorgne, Giuliana Lomuscio, 25 vjeçc nga Quincinetto dhe vëllezërit Robert dhe Fatos Kola, 32 dhe 26 vjeç, të dy shqiptarë rezidentë në Prascorsano dhe San Giorgio Canavese.
Ata që kryenin vjedhjet ishin Sada dhe dy vëllezërit Kola, gjithmonë në kërkim të objektivave për të goditur dhe personave për t’i grabitur, raportojnë mediet italiane.
Për të përmbushur qëllimin e tyre ata përdornin njerëz të besuar dhe bashkëpunëtorë, të aftë për të dhënë informacione mbi viktimat e mundshme. Ata studionin vendin, shtëpinë, lëvizjet e fatkeqëve, përdornin makina të ndryshme për të mos rënë në sy.
Hetimi i karabinierëve, i koordinuar nga zëvendës prokurori, Alessandro Gallo nisi në 14 tetor të vitit 2016, pas një grabitje të ndodhur në shtëpinë e një biznesmeni sigurimesh 65-vjeçar nga San Giorgio Canavese.
Pasi u kërcënua dhe u rrah, atij iu grabitën bizhuteri dhe para, me vlerë rreth 6 mijë e 500 euro.
Hetimet çuan menjëherë te Giuliana Lomuscio, një vajzë e njohur nga viktima disa muaj para ngjarjes.
Hetimet kanë zbuluar se grabitësit janë përgjegjës për të paktën 4 vjedhje të ndodhura në Canavese dhe një në Francë. Ata kishin marrë orë të shtrenjta marke, stoli ari dhe argjendi, pije alkoolike, puro, pushkët, karabina dhe kamera.





