Një ngjarje e rëndë është regjistruar në ambientet e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Asllan Keta” në Bulqizë, ku gjatë natës është shkatërruar klasa e katërt e kësaj shkolle.

Ngjarja është konstatuar mëngjesin e sotëm, në momentin kur stafi pedagogjik dhe nxënësit janë paraqitur për të nisur procesin mësimor.

Bankat dhe karriget janë gjetur të dëmtuara, materialet mësimore të shpërndara në dysheme, ndërsa muret dhe pajisjet e klasës kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme.

Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, drejtoria ka njoftuar Policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet e para hetimore.

Nga verifikimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, mësohet se në ambientet e shkollës janë futur disa fëmijë, aktualisht nxënës të kësaj shkolle.

Ata dyshohet se kanë hyrë nga pjesa e pasme e godinës, duke shmangur hyrjen kryesore. Pamjet filmike janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe po analizohen për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësit konkretë.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar disa nxënës dhe prindër të tyre për t’i marrë në pyetje lidhur me këtë akt vandalizmi.