Operacioni i përbashkët mes Policisë italiane dhe asaj shqiptare këtë të premte, koduar “Rockerduck” i ka dhënë goditjen një grupi të strukturuar kriminal që ushtronte veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Në Shqipëri, në kuadër të operacionit u vu në pranga anëtari i këtij grupi kriminal, konkretisht, në Fier, u arrestua shtetasi Reval Hysenaj, 27 vjeç, banues në Bishan, Fier.

Arrestimi i tij u bë, bazuar në urdhër-arrestin për kryerjen e veprave penale “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Shtetasi Reval Hysenaj, i kapur sot në Fier, në rolin e tij si pjesëmarrës solid brenda grupit kriminal, kontrabandonte lëndën narkotike kokainë dhe ia dorëzonte personave që kishin negociuar më parë. Gjithashtu ky shtetas ishte i ngarkuar për të mbledhur para nga kontrabandistët vendas dhe konsumatorët.

Ndërsa në Itali, në orët e para të mëngjesit të sotëm u bë ekzekutimi i 11 urdhër-arresteve për shtetas rezident në Itali, ndërsa për një tjetër është bërë shpallja në kërkim pasi nuk është gjetur në banesë.

Operacioni në Shqipëri është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, i drejtuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, me pjesëmarrjen e Interpol Tirana dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier e Vlorë, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse Italiane të atashuar në vendin tonë (INTERFORCA).

Sot, në orët e para të mëngjesit në Itali dhe Shqipëri, në kuadër të procedimit penal për shkatërrimin e një grupi kriminal në të cilin ishin të përfshirë shtetas shqiptar, u bë ekzekutimi i urdhër-arresteve për 12 shtetas, nga të cilët 7 me masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe 5 me “Arrest në shtëpi”, ndërsa një tjetër shtetas është shpallur në kërkim, pasi nuk është gjetur në banesë.

Vijon puna e përbashkët për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtij grupi të strukturuar kriminal dhe për kapjen e personit të shpallur në kërkim.