Një gjykatë në Britaninë e Madhe ka dënuar 13 persona, pjesë e një bande trafiku droge të drejtuar nga shqiptari 25-vjeçar Asmirald Miraka.

Pas hetimeve të kryera nga autoritetet britanike, gjykata vendosi dënimin e Mirakës me 16 vite e 3 muaj burg, ndërsa korrierët e drogërave të rënda heroinë dhe kokainë Desar Asllani 30 vjeç është dënuar me 10 vite e 9 muaj burg, po ashtu edhe Aleks Asllani 28 vjeç dhe Arjon Cerriku 30 vjeç.

Të 13 anëtarët e bandës së trafikut të drogës, shqiptarë dhe nga vende të tjera janë dënuar në total me 132 vite burg.

Drejtuesi i bandës, Asmirald Miraka bashkë me tre korrierët e tij shqiptarë dhe anëtarët e tjerë shpërndanin kokainë dhe heroinë në disa qytete në Britani.

Lëvizjet e tyre ishin mjaft të kujdesshme dhe përdornin makina të përshtatura posaçërisht për transportin e drogës, ndërsa komunikimi në telefon ishte me kode dhe më pas numri zhdukej.

Të gjithë shqiptarët e përfshirë qëndronin ilegalisht në Britani. Pas shumë hetimeve dhe një ndjekjeje të gjatë, policia britanike arriti t’i arrestonte në vitin 2015, ndërsa u sekuestruan 10 kg kokainë dhe heroinë, një pistoletë, armë gjahu, municione dhe 100 000 paund, një perandori e vërtetë e drejtuar nga Miraka.