PIAÇENZA – Policia italiane ka bërë të mundur arrestimin e 14 shqiptarëve të përfshirë në një rrjet prostitucioni. Sipas mediave italiane, bëhet me dije se banda ishte ndarë në dy grupe të lidhura me njëra-tjetrën, ndërsa merreshin me prostitucion në aksin Piaçenza-Shqipëri.
Gjithçka u zbulua nga karabinierët pas vrasjes së shqiptarit 39 vjeçar Sadik Hajderi, në shtator të vitit të kaluar. Ai u ekzekutua në një atentat tipi mafioz në një lokal të mbushur plot me klientë në Piacenza. Vrasja e tij u krye nga dy vëllezër shqiptarë, Mersin Uku, 29 vjeç dhe Donard Uku, 21 vjeç, të cilët e pranuan krimin në momentin e arrestimit nga policia.
Policia e Piaçenzës ka zbuluar se grupi i shqiptarëve të ndaluar kontrollonte një rrjet të gjerë prostitucioni dhe detyronte më forcë vajzat të dilnin në rrugë. Madje nuk kanë munguar edhe rastet kur vajzat janë detyruar të prostituojnë edhe pse ishin shtatzënë.
Në cilësinë e provave kundër të arrestuarve janë udhëtimet e dokumentuara mes dy vendeve, ku anëtarët kryesisht drejtonin rrjetin nëpërmjet Skype-it. Pas një periudhë hetimore, policia lëshoi 14 urdhër arreste. Prokurori i çështjes, Salvatore Cappelleri tha se janë identifikuar dy grupe të lidhura me njëri-tjetrin që drejtonin aktivitetin e paligjshëm.
Mediat italiane flasin se arrestimi i fundit është bërë në Tiranë, ndaj një shtetasi, Bujar Ramadani, i cili konsiderohet si bashkëpunëtor në vrasjen e një shqiptari në shtator të 2013, Sadik Hajderi, i cili më vonë u zbulua se kishte qenë udhëheqës i një rrjeti të gjerë prostitucioni.
Në lidhje me vrasjen e tij janë vënë në pranga vëllezërit Uku. Bashkëshortja e njërit prej vëllezërve, dyshohet po ashtu se më vonë është përfshirë një tjetër vrasje, duke vrarë një 79- vjeçar italian.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





