TIRANE, 03 mars 2013 – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm fut në “sitën” e hetimit profesional të gjithë efektivët e policisë që janë përfolur për lidhjet e tyre me të dyshuarin kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj, Arben Frroku. Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se menjëherë pas prononcimit të bërë nga ministri Flamur Noka në Kuvendin e Shqipërisë dhe më pas nga zëdhënësi i tij Leonard Olli, SHKB ka filluar punën për të zbardhur tërësisht nëse ka apo jo, implikime të drejtuesve të Policisë së Shtetit me Arben Frrokun. Ndërkohë që burime të sigurta pohuan se një nga pistat e hetimit ka të bëjë edhe me largimin e Arben Frrokut drejt Greqisë.
SHKB-së i lind e drejta të hetojë të gjithë punonjësit e policisë, pse jo edhe drejtuesit e saj, nëse ka pasur ndonjë veprim konkret ditën e krimit, pra nëse Arben Frroku është ndihmuar për të kaluar kufirin edhe pse nga pas kishte një “njollë” tepër të rëndë. Por në “sitë” nuk do të jenë vetëm drejtuesit e Policisë së Shtetit, por edhe efektivë të policisë në komisariate. SHKB do hetojë gjerësisht për të gjitha lidhjet e përfolura. “Darka e Gabuar”, që në rastin konkret hapi kapitullin e denoncimeve dhe hetimeve të gjithanshme, duket se do jetë në qendër të SHKB.
Hetimi i kalimit të Frrokut në kufi
Kalimi i Arben Frrokut në pikën kufitare të Kapshticës ditën e 24 shkurtit është një nga pikat e hetimit të SHKB-së. Ndërsa bëhet e ditur se po hetohen të gjitha fjalët e thëna deri sot për katër drejtuesit e Policisë së Shtetit, Nikolin Bala, Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj dhe Muhamet Rrumbullaku. SHKB do të bëjë hetim edhe për të gjitha rastet kur ka pasur kallëzime për efektivet e policisë që në këtë rast është edhe ai i bërë nga i dyshuari për vrasjen e kryekomisarit, Arben Frroku. Bëhet e ditur se në SHKB ekziston një kallëzim i bërë nga Frroku kundër Dritan Lamaj, ndërsa ky i fundit e ka depozituar në prokurori. Gjithçka që është thënë dhe nuk është thënë do të hetohet nga SHKB, e cila në këtë rast është një lloj prokurorie për efektivët e policisë. Pra SHKB ka të drejtë të hetojë të gjitha ankesat që kanë qytetarët për të si dhe për të gjitha ndërhyrjet dhe lidhjet që policia ka me persona të përfolur për veprimtarinë e tyre keqbërëse.
Burime të Ministrisë së Brendshme thanë se pasi të jenë kryer hetimet paraprake për efektivët e policisë dhe në rast se dalin të dhëna që i komprometojnë, atëherë SHKB bënë hapin e dytë. Raporti i përgatitur nga grupi i punës, i drejtohet prokurorisë, sektorit të Task-Forcës me qëllim marrjen e lejes për të kryer përgjime. Për të nisur hetimet, SHKB merr shkas nga dy momente, e para ka lidhje me kallëzimet e qytetarëve dhe e dyta hetimet nisin duke pasur një indice.
Në rastin konkret hetimet kanë nisur pasi ndodhi vrasja e kryekomisarit, ndërkohë që më parë nuk ishte bërë një gjë e tillë. SHKB e ka pasur në zyrën e saj ankesën e të dyshuarit Arben Frroku dhe për këtë gjë nuk është shprehur asnjëherë. Madje ajo në rast se do të kishte kryer hetime të mëparshme do të mund të nxirrte më parë në pah, lidhjet e të dyshuarit me Drejtuesit e Policisë.
Ministria e Brendshme: Drejtuesit e Policisë, foto të rastësishme me Arben Frrokun
Ndërsa Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka urdhëruar hetimin e plotë të të gjithë drejtuesve të policisë për lidhjet që kanë pasur me të dyshuarin Arben Frroku dhe pretendon se nuk do të tolerojë asnjë, nga ana tjetër mundohet t’i marrë në mbrojtje. Burime nga kjo ministri bëjnë me dije se fotoja e bërë në një nga lokalet në Dajt ka qenë thjeshtë një rastësi. Sipas tyre kjo rastësi shpjegohet nga pronari i lokalit, i cili ka deklaruar se Frroku ishte ulur në karrigen e tij dhe nga të deklarimet e vet drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit.
Por prapa thënieve të katër drejtuesve të policisë qëndron ajo e bërë nga i dyshuari Arben Frroku. Ky i fundit nuk e quan dhe aq të rastësishme foton teksa shprehet se ka njohje me të gjithë krerët e Policisë së Shtetit dhe kjo njohje është e vjetër. Pra nga njëra anë kemi pohimet e katër të ‘prekurve” nga kjo foto dhe nga ana tjetër kemi deklaratën e Frrokut e cila në këtë rast zë vend më shumë. Secili nga drejtuesit ka dhënë shpjegimet e veta.
Sipas të njëjtave burime nga Ministria e Brendshme bëhet me dije se Muhamet Rrumbullaku, ToninVocaj, Nikol Bala dhe Agron Kuliçaj, kanë dhënë detaje për SHKB. Ata kanë paraqitur një raport të detajuar ku kanë shpjeguar kohën kur kanë krijuar miqësinë me Arben Frrokun, interesat që kanë pasur nga kjo miqësi, favoret që mund t’i kenë bërë dhe beneficet që kanë përfituar nga biznesmeni pukjan. Nga burime të sigurta brenda në ministri bëhet me dije se të vetmit që kanë pranuar njohjen e vjetër me Arben Frrokun janë Nikolin Bala dhe Tonin Vocaj. Këta drejtues të lartë policie janë shprehur se me Frrokun janë njohur kohë më parë duke qenë se janë nga e njëjta krahinë.
Nga ana tjetër Agron Kuliçaj, ka mohuar kategorikisht miqësinë me Arben Frrokun. Ai është shprehur se dreka me të dyshuarin ka qenë thjesht një rastësi. Të rastësishme e ka quajtur drekën edhe Muhamet Rrumbullaku. Ai është shprehur se në atë drekë ka qëndruar në tavolinë vetëm 30 minuta e më pas është larguar. Kjo gjë sipas drejtuesve të policisë mund të verifikohet shumë lehtë.
Letra e vëllezërve të Lamajt në polici për Frrokun, hetohen procesverbalet
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mohon ekzistencën e një letre të depozituar kohë më parë nga vëllezërit e Dritan Lamajt kundër Arben Frrokut. Pak ditë pas vrasjes së kryekomisar Lamaj, vëllezërit e tij bënë publik faktin se kishin depozituar në polici një shkresë me anë të të cilës kërkonin mbrojtje për vëllanë e tyre. Sipas shkresës që ata pretendojnë se e kanë depozituar, Arben Frroku kërcënonte vazhdimisht për vrasje Dritan Lamaj, pasi ky i fundit ishte pjesë e hetimit të veprimtarisë së vëllezërve të të dyshuarit jashtë vendit.
Por tashmë kjo letër duket se është bërë “mollë sherri” mes policisë dhe vetë të prekurve nga tragjedia. Agron Kuliçaj është shprehur se nuk ka dijeni për ekzistencën e një letre të tillë. Edhe kjo do të jetë një nga pikat për të cilat SHKB do të hetojë. Sipas të njëjtave burime, SHKB do të verifikojë të gjithë procesverbalet që ndodhen në komisariatin e policisë Kombinat.
Arben Frroku, letër ankese në SHKB për Dritan Lamaj
Konflikti mes Arben Frrokut dhe kryekomisar Dritan Lamaj ka qenë i njohur edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministri. Burime nga kjo ministri bëjnë me dije se i dyshuari për vrasjen e Lamajt, Arben Frroku ka depozituar në SHKB një ankesë kundër ish-drejtuesit të komisariatit numër 6 në Kombinat. Por ajo që të lë vend për të dyshuar është fakti se kjo ankesë është hetuar në dëm të kryekomisarit apo ka mbetur në dosje pa u hapur fare.
Pas ngjarjeve që kanë ndodhur dhe pas largimit të kryekomisar Dritan Lamaj nga komisariati numër 6, të lind e drejta të dyshosh se SHKB më shumë ka hetuar për ta dëmtuar atë, duke i dalë në mbrojtje të dyshuarit aktual për vrasje. Kjo gjë vjen pikërisht nga fakti se menjëherë pas konflikteve që lindën mes tyre, Lamaj u lëviz nga Kombinati për të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Konkluzioni del kur mendon se SHKB heton vetëm efektivët e policisë pasi ndaj tyre ka ankesa nga qytetarë të ndryshëm.
Ankesat e Dritan Lamaj ndaj Frrokut, vetëm në dosje
Ndërsa është i vetmi i dyshuar për vrasjen e kryekomisarit, Arben Frroku nuk u hetua asnjëherë më parë nga prokuroria për të bërë të mundur parandalimin e një eliminimi. Emri i biznesmenit Frroku në dosje është trajtuar i barabartë edhe me kallëzuesit e tjerë. Sipas prokurorisë përveç Arben Frrokut, në emër të Dritan Lamajt janë regjistruar edhe 24 kallëzime të tjera. Konfliktet nuk janë marrë seriozisht dhe për këtë arsye ato tashmë e kanë bërë ngjarjen më të kompleksuar.
I vetmi i dyshuar për prokurorinë është Arben Frroku. Por teksa kanë nisur hetimet më të hollësishme për të bërë të mundur kompletimin e dosjes, kanë dalë në ditë edhe konflikte të tjera për shkak të detyrës. Të gjitha kanë objektiv të qartë. Janë drejtuar në Prokurori për të sulmuar ish-drejtuesin e komisariatit të Kombinatit, Dritan Lamaj. Duket se hetimet kanë hyrë në një rreth vicioz nga i cili do të duhet shumë kohë për të dalë.
/gazeta "Sot"/





