Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga Qeveria Shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, strukturat e Policisë kanë penalizuar 74 shoferë, gjatë 24 orëve të fundit.
Burime zyrtare bënë me dije se këta drejtues të mjeteve, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Po gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, konkretisht në Berat shtetasi P. H., 44 vjeç, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mosbindje ndaj urdhrit të Policisë për shoqërim dhe në Elbasan shtetasi I. A., 56 vjeç, pasi drejtonte mjetin në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një armë sportive pistoletë pa leje.





