TIRANE, 8 dhjetor 2013 – Ministria e Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra për pesë gjyqtarë. Lajmi u konfirmua nga një burim zyrtar pranë Ministrisë së Drejtësisë, i cili nuk pranoi të bënte publikë emrat e gjyqtarëve. Gjyqtarët në fjalë pritet të bëhen objekt i shqyrtimit disiplinor në mbledhjen me të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Burime të rezervuara pohuan se nga inspektimet e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë në dosje të shqyrtuara prej tyre janë vërejtur shkelje të rënda procerale, përfshi zvarritje të proceseve jashtë afateve dhe shkelje të etikës. “Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë i janë transmetuar zyrtarisht Këshillit të Lartë të Drejtësisë propozimet për procedim disiplinor dhe marrjen e masës ‘shkarkim nga detyra’ për pesë gjyqtarë, që ushtrojnë funksionin e tyre në Gjykata të Shkallës së Parë në vend”, pohoi dje një zyrtar i Ministrisë. Nuk u bë e ditur nëse gjyqtarët e propozuar për shkarkim janë pjesë e grupit të shtatë gjyqtarëve që Ministria nisi një procedim disiplinor dy javë në parë. Propozimi për pesë gjyqtarë të tjerë vjen vetëm pak ditë pasi ministri Naço i propozoi KLD-së shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha. Dje, nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, prezantoi gjyqtarin Bib Ndreca si kryetar të deleguar të Gjykatës Pukë. Ndreca u delegua pas shkarkimit të ish-kryetarit Shtjefën Lleshi, i cili u përfshi në një video-skandal të publikuar nga “Fiks Fare”. Në fjalën e tij, Cefa u shpreh se Prokuroria duhet të hetojë dhe të zbardhë sa më shpejt dhe në mënyrë objektive ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, në mënyrë që përgjegjësit të përballen me ligjin.
/ panorama /





