Banka e Shqipërisë ka mbyllur licencat për 83 zyra të këmbimit valutor gjatë vitit 2025. Vendimi është marrë, pas shkeljeve të konstatuara dhe evazionit në qarkullimin e parave.
Banka e Shqipërisë ka hequr licencat për 83 zyra të këmbimit valutor gjatë vitit 2025, pas kontrolleve që zbuluan mangësi në identifikimin e klientëve, monitorimin e transaksioneve, verifikimin ndaj listave të sanksioneve dhe raportimin e veprimeve valutore.
Sipas të dhënave, numri i zyrave të këmbimit valutor zbriti nga 642 në 592 në fund të vitit 2025, shifra më e ulët që nga viti 2022.
Kontrollet ndaj zyrave të këmbimit valutor u intensifikuan gjatë vitit të kaluar, për shkak të ekspozimit të këtij aktiviteti ndaj parasë fizike dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun. Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes 2025, për problematikat e konstatuara u morën masa administrative ndaj 201 zyrave, një zyre iu tërhoq vëmendja, ndërsa 83 zyrave iu hoq licenca.
Në të njëjtën periudhë u licencuan 33 zyra të reja, çka solli një ulje neto me 50 subjekte, ose rreth 8%, krahasuar me fundin e vitit 2024.
Kjo ishte rënia e parë e fortë pas një periudhe të gjatë zgjerimi, pasi numri i zyrave ishte rritur pothuajse në mënyrë të vazhdueshme nga 397 në vitin 2015 në nivelin më të lartë prej 642 zyrash në vitin 2024.
Gjetjet kryesore të mbikëqyrjes lidhen me mangësi në zbatimin e masave të vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar ndaj klientëve. Në disa raste mungonin sistemet e centralizuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, ndërsa kishte dobësi në dokumentimin e kontrolleve të klientëve kundrejt listave të sanksioneve.
Raporti evidenton gjithashtu probleme në ruajtjen e dokumentacionit, ndërsa problematika u konstatuan edhe në analizimin e burimit të fondeve.





