Pas impenjimit me kombëtaren, futbollistët kuqezi janë kthyer në klubet e tyre dhe kanë bindur me paraqitjet në fushë.

Reparti i sulmit ka shkëlquer në fundjavë. Myrto Uzuni u rikthye te goli me Granadën duke tundur rrjetën nga pika e bardhë e penalltisë në disfatën 3-1 përballë Alaves.

Ky ishte goli i pestë i 28-vjeçarit shqiptar në La Liga. Një performancë mjaft e mirë edhe nga mbrojtësi Ivan Balliu, i cili ishte titullar në baraizmin 1-1 që Rayo Vallecano arriti në shtëpi përballë Barcelonës.

Sokol Cikalleshi ishte protagonist absolut në Superligën turke, duke shënuar një gol dhe duke kontribuar me asisti në fitoren 2-0 që Konyaspor arriti përballë Kasimpasa.

Sulmuesi i kombëtares u aktivizua në minutën e 64-t dhe në të 68-tën zhbllokoi ndeshjen, ndërsa në të 77-tën dha asistin e golit të dytë.

Në Poloni, Ernest Muçi shënoi një gol me shumë vlerë për Legian e Varshavës duke vendosur ekulibrin në 2-2 kundër Warta Poznan.

Edhe Taulant Seferi realizoi një gol me vlera për Bani yas në transfertën e Hattas duke i dhënë fitoren ekipit në kampionat e Emiratave të Bashkuara Arabe.

Ndërkaq, në derbin e shqiptarëve në Serie A, Berisha – Ismajli te Empoli dhe Bajrami te Sassuolo, fituese doli skuadra e mesfushorit me tipare sulmuese, që fitoi 4-3 në një ndeshje emocionuese.

Gjithashtu titullar ishte edhe Berat Gjimshiti me Atalantën, Mario Mitaj me Lokomotivën e Moskës, Elhan Kastrati me Cittadella-n e Arbnor Muja me Royal Antwerp.

Këtë javë u aktivizuan edhe Elseid Hysaj, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Armando Broja, Keidi Bare dhe Klaus Gjasula.  

Ndërkaq në Serie C, sulmuesi i Shpresave, Kristian Shpendi shënoi golin e vetëm për Cesena-n në sfidën ndaj Pescara-s, duke i dhënë tri pikët skuadrës së tij.