Tiranë, 16 korrik 2014 – Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka hedhur në kosh një asistencë ndër vite të partnerëve ndërkombëtarë, për Kodin e ri Doganor, me një vlerë prej 2 milionë euro. E gjithë asistenca, konsultimet, takimet dhe propozimet janë hedhur poshtë, ndërsa stafi i Canit ka sjellë në Kuvend një draft të ri për Kodin Doganor, përkthim mekanik dhe i pakonsultuar me asnjë aktor, agjenci dhe ekspertizë në fushën e legjislacionit. Hija e skandalit është konstatuar dje nga anëtarët e Komisionit të Jashtëm, të cilët u skandalizuan kur morën vesh se Kodi i ri Doganor ishte produkt i stafit të Canit dhe se ishte bërë pas asnjë asistencë.

“Ka pasur një përpjekje nga Austria për të asistuat në Kodin Doganor. Çfarë është bërë me këtë asistencë? A është reflektuar në draftin që na keni sjellë? A është një ligj nga e para apo është thjeshtë një përkthim? Mua nuk më duhet pikëpamja juaj. Unë dua të di të gjithë teknikën e ndjekur deri këtu. Çfarë është bërë me asistencën që Shqipëria ka marrë përpara? Sa kushton ky ligj? Sa është fatura e përkthimit”, u shpreh dje deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade.

Ndërkaq, zonja Dade, pavarësisht përpjekjeve nuk mori përgjigje nga stafi i Canit. Pas shumë këmbënguljesh, një nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, tha se asistenca për Kodin Doganor kishte kushtuar 2 milionë euro, por kjo asistencë nuk ishte reflektuar në drejtin e ri për Kodin Doganor. Kjo përgjigje shokoi anëtarët e komisionit, të cilët kërkon përgjigje të detajuar me shkrim për të gjitha pyetjet dhe paqartësisë e ngritura në mbledhje.  

/gazeta "Sot"/