E nisi karrierën e tij më shumë se dy dekada më parë, atëherë kur të qënit berber ishte një zanat i domosdoshëm, por nuk shihej si një profesion, ku stilimi i flokëve apo mjekrës mund të shndërrohej në art.
Dy dekada më pas, Shkëlqim Sinani është një emër i njohur në Durrës, të cilit i besojnë stilimin e flokëve apo të mjekrës nga më të rinjtë deri tek moshat e treta.
Tashmë kur ka bërë realitet sallonin e tij të dytë në qytet, Sinani rrëfen se fillimet nuk kanë qenë aspak të lehta.
“Kam nisur karrierën time para 20 vitesh, kur ishte stili tradicional, berber tradicional. Unë u futa në treg me një frymë të re, diçka moderne. Të rinjtë e kishin tabu dikur që të bëheshin berber, sepse bullizoheshin nga shoqëria. Unë këtë doja të thyeja, besoj ia kam arritur. Sot është një trend shumë i kërkuar nga të rinjtë”,– thotë Shkëlqim Sinani për “DurrësLajm”.
Në ceremoninë e inaugurimit të sallonit të tij të dytë “Çimi, stil unik” ishin mbledhur shumë klientë të tij të të gjitha moshave. Salloni i ri mjaft modern është ideuar për të qenë një ambient i ngrohtë dhe mjaft relaksues.
“Preja e flokëve nuk është më thjesht po iki të pres flokët. Është diçka trendi, kujdes ndaj vetes. Prandaj dhe kam arritur deri këtu, kam krijuar këtë lloj niveli salloni, sepse njerëzit tani janë shumë të ngarkuar, të stresuar. Jo vetëm të vijnë të presin flokët, por edhe të shplodhen”.
Në një kohë kur kujdesi ndaj vetes është kthyer në trend, Çimi tregon se salloni i tij frekuentohet nga të gjitha grupmoshat, madje edhe shtetas të huaj.
Por cilët janë VIP-at që më së shumti merren si shembuj nga të rinjtë për modelin e radhës të flokëve apo mjekrës?
“Cristiano Ronaldo ka qenë më i kërkuar, por edhe shumë lojtarë të tjerë kanë frymëzuar të rinjtë. Stili i Noizy-t, Ledri Vulës, Alban Skënderajt dhe këngëtarëve të tjerë shqiptarë preferohen mjaft”.
Karriera e gjatë dhe të qënit i suksesshëm në treg për Çimin nuk është vetëm arritje personale, por edhe punë në grup.
“Ka qenë shumë e vështirë për të arritur këtu ku jam sot. Me shumë sakrifica dhe shumë mundim i kam arritur, por ka qenë një ëndërr e madhe e imja të realizoj këtë që kam sot. Falenderoj të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur, sepse janë ata, pa jam unë”.
Salloni i dytë “Çimi stil unik” është hapur në lagjen nr.1, në rrugën “Epikadave” në Durrës.
M.B.