TIRANE – Djali i kryeministrit, Sali Berisha ka akuzuar sot deputetin Taulant Balla se po i fshihet drejtësisë me mungesat që po bën në seancat gjyqësore. 

“Sot me dt 06.02.2013 në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca e parë e çështjes civile për padinë që unë kam ngritur ndaj shpifjeve që z. Rama ka hedhur kundër meje përmes z. Taluant Balla. Ashtu sikundër dhe pritej, pavarësisht kërkesës së përsëritur dhe njoftimit të rregullt të Gjykatës, z. Balla me urdhër të z. Rama, ju fsheh përballjes me drejtësinë duke mos u paraqitur në seancë as vetë personalisht dhe as me përfaqësues ligjor”, thotë Shkëlzen Berisha në një njoftim për shtyp. 

Sipas tij, shkaktar për këtë është kreu i PS, Edi Rama. Djali i kryeministrit i bën thirrje Ramës që të mos pengojë procesin gjyqësor. 

“I bëj thirrje publike z. Rama të mos pengojë procesin gjyqësor, dhe ta lejojë përfaqësuesin e vet të paraqitet në gjykatë për të përcjellë aty provat mbi të cilat ka ngritur shpifjet e tij. E ftoj atë të mos i shmanget detyrimit ligjor si një frikacak, që shpif e ndodhet përherë e kudo, përveçse aty, ku i duhet të provojë me fakte dhe argumente ato që thotë”.