3 shkurt 2015 – Është Shkëlzen Gashi, një shqiptar, futbollisti i vitit i Superligës Zvicerane. Sulmuesi kuqezi fitoi trofeun më të lakmuar në planin individual në kampionatin helvet duke konfirmuar vitin e jashtëzakonshëm që ka kaluar. I thjeshtë, shkëlqyes dhe mbi të gjithë modest Shkëlzen Gashi u ngjit në skenë duke dashur të ndajë këtë çmim me të gjithë.
"Ky trofe i imi është meritë dhe e skuadrave ku unë kam luajtur, e të gjithë atyre njerëzve me të cilët kam punuar. Gjëja më e rëndësishme për mua, është punë, punë dhe vetëm punë!" Gashi në vitin 2014 u shpall kryegolashënues i Superligës zvicerane me Grashopers ndërsa kryeson aktualisht dhe listën e golashënuesve të kampionatit zviceran me 11 gola. Ndërkohë dhe futbollisti tjetër i kombëtares, Taulant Xhaka, që luan gjithashtu te Bazel u vlerësua në këtë mbrëmje Gala teksa ishte bashkë me Gashin pjesë e formacionit më të mirë të vitit 2014.





