Një zgjedhje karriere, por edhe një vendim që lidhet me aspektin financiar. Shkëlzen Gashi kishte arsye të forta përse zgjodhi të luante në MLS amerikane. Një prej tyre është rroga mbi një milionë dollarë në sezon që përfiton te Kolorado Rapids.
Problemet nisën nga zgjedhjet e diskutueshme të trajnerit Fischer, që te Baseli e linte vazhdimisht në stol edhe pse Gashi ishte shpallur golashënuesi më i mirë në Zvicër në dy sezonet e fundit. Një situatë në të cilën sulmuesi humbiste minutat e vyera në fushë dhe rrezikonte të mos ishte pjesë e Kombëtares shqiptare në finalet e Euro 2016.
Por, vendimi për t’u transferuar në Shtetet e Bashkuara me skuadrën e Kolorados, lidhet në mënyrë të drejtë për drejtë edhe me pagën. Mes ofertave të shumta që kishte, 27-vjeçari preferoi atë të klubit me Seli në Denver. Me kontratën e firmosur më 1 Shkurt dhe i përfshirë në listën “Designated Player”, pra atyre pak yjeve të futbollit që mund të përfitojnë rroga më të larta se tavani i pagave i vendosur në Amerikë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, të transmetuara më pas edhe nga Blick në Zvicër, Gashi përfiton mbi një milionë dollarë rrogë në sezon. Shifra është sa dyfishi e pagës së një tjetër ish-lojtari të Superligës helvete, Tranquillo Barnetta që te Filadelfia përfiton 600 mijë dollarë në vit.
Shkëlzen Gashi është një prej lojtarëve më të paguar në Major League Soccer, aty ku ish-legjenda e Liverpool, Steven Gerrard paguhet 6,2 milionë dollarë në vit te Los Anxhelos, ndërsa ish-sulmuesi i Juventusit, Sebastian Giovinco përfiton 5,6 milionë te Toronto.