9 maj 2015 –Disa ditë më parë Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, postoi një foto në “Facebook” duke kalëruar me një kalë që i përket pikërisht ish-bashkëshortes së tij, Sadijes.

Kjo e fundit, e revoltuar nga kjo situatë, vendosi të tregojë për herë të parë një moment privat nga jeta e saj në çastet më të vështira.

Ajo shkruan në “Facebook” se kali i saj quhet Meri dhe 3 vjet më parë iu premtua t’i kthehej në Suedi, por tashmë i ka humbur shpresat se do t’i marrë ndonjëherë kafshët që ka lënë në Shqipëri.

Sadija revoltohet më tepër për faktin që Xeni shfaqet në publik sikur të mos ishte pjesë e kujtimeve të një familjeje, por vetëm e një personi.

“Na u premtua që kafshët do të na dërgoheshin në Suedi pasi të vaksinoheshin dhe të pajiseshin me pasaportë. 3 vjet më pas dhe jemi ende duke pritur..E kam kuptuar me zemër dhe shpirt të thyer që nuk do t’i marrim më. Nuk mund t’i shoh më përsëri, por gjej qetësi duke shpresuar që kujdesen mirë për ta. Por t’i shfaqësh në publik sikur nuk kanë qenë kurrë tanët ose nuk kanë qenë pjesë e jetës sonë, më bën të mendoj se sa shumë duhet ndjeshmëria, empatia dhe respekti. Është e dhimbshme kur këto ndjenja mungojnë”, shkruan Sadije Berisha.

Tashmë kalin e mban Shkëlzeni, i cili vazhdon një lidhje me Armina Mevlanin, një lidhje kjo shumë e përfolur në shtypin shqiptar.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/