Intervista e trajnerit të Teutës, Blendi Shkëmbi dhënë pasi tekniku korçar mposhti sërish Skënderbeun, me Teutën e tij, këtë herë në shtëpi.
Një pjesë e parë me guxim në shtëpinë e Skënderbeut…
Patjetër, mendoj se bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por personalisht unë vlerësoj pjesën e dytë, jo për bukurinë, por për shpirtin e garës dhe besimin që kishin lojtarët për të marrë rezultat. Personalisht e di çdo të thotë të luash me një lojtar më pak për një pjesë të tërë, ndaj vlerësoj pjesën e dytë.
Në 45-minutëshin e dytë, u mbrojtët me të gjitha mënyrat e mundshme…
Ishte edhe loja e Skënderbeut që na imponoi të tërhiqeshim, por edhe fakti që kishim një lojtar më pak, Nuk arritëm të dalim në kundërsulm, por përgëzoj lojtarët që ia dolën të marrin rezultatin.
Pse mungoi Latif?
Ka pasur probleme me kaviljen për 2-3 ditët e fundit, por më shumë e lashë jashtë për çështje taktike, Doja lojtarët më në formë ndaj Skënderbeut.
Si ndiheni kur fitoni përballë Skënderbeut, në shtëpinë e tij ,që është edhe e juaja njëkohësisht?
Natyrisht që jam i emocionuar, por në radhë të parë duhet të respektoj punën time dhe mundin e të gjithë djemve, që sot morën 3 pikë me shumë sakrificë. Gjithsesi kam kënaqësi kur skuadra mposht ekipet më të mira të Superiores.
Çfarë do t’i thoni vajzës tuaj, kur të shkoni në shtëpi?
Breila, nga e hëna, do të fillojë të bëjë sërish tifo për Skënderbeun (qesh).
Pse larguat Kallakun, i cili ishte më i miri në pjesën e parë?
Isha në dilemë në fakt, pasi ai luajti mjaft mirë dhe është e disata ndeshje që paraqitet mirë. Megjithatë e ula në stol, pasi mendova t’i besoj më shumë shpejtësisë së Camarasë.
Luftoni për Europën, apo për titullin kampion?
Ne duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të presim ndeshjen e javës së ardhshme me Partizanin, ku do të synojmë një tjetër fitore. Unë mendoj se fillimisht duhet të mbyllim këtë fazë dhe më pas të shohim se deri ku mund të shkojmë.





