Bledi Shkëmbi u gëzohet pikëve në sfidën me Kastriotin, por e ka të qartë se suksesi me vendin e fundit të tabelës nuk mund të konsiderohet një arritje shumë e madhe. 

Fitorja me Kastriotin erdhi në momentin e duhur, por gjithsesi nuk ishte kaq e thjeshtë sa duket…

Kaluam një situatë jo të mirë pas ndeshjes me Partizanin dhe kjo u reflektua në pjesën e parë në ndeshjen e sotme. Në këtë moment të rëndësishëm ishte 3-pikëshi dhe arritëm ta merrnim. Në pjesën e dytë skuadra u paraqit më mirë. Për fat të mirë vjen një moment pauze dhe kjo na ndihmon të përmirësohemi.

Cilat janë arsyet që kishit bërë disa ndërrime në formacion?

Mendoj se këta lojtarë për këtë ndeshje ishin ata më në formë për momentin. Ndoshta ishte pak ditë për të vendosur, por ata lojtarë që  aktivizuan dhanë maksimumin. E dija që ekipi do të vuante pak në fillim. Por kur shënon gol je më mirë nga ana psikologjike. 

Ndikon ky sukses ndaj Kastriotit në anën psikologjike të skuadrës, për t’u dhënë një mësim lojtarëve?

Unë nuk i ndëshkoj lojtarët. Janë 20 lojtarë, të gjithë stërviten njëlloj. Për këtë ndeshje vendosa të luaj me këta lojtarë. Të gjithë janë të barabartë, por e rëndësishme është që jemi 20 lojtarë një staf dhe të gjithë për një qëllim dhe një dëshirë.