I kënaqur për fitoren pasi Europa tashmë është më afër për Teutën e tij, trajneri i durrsakëve Bledi Shkëmbi e analizoi kështu fitoren 2-0 ndaj Partizanit. “Kryesorja është që morëm 3 pikët.Gjatë gjithë javës kemi punuar për të qenë seriozë. Ndeshjet e tjera dolën ashtu siç na interesonte. Gjithsesi ka edhe 2 ndeshje të tjera”. 

Përshëndetja e Partizanit… 
Personalisht mendoj që kampionët duhet të respektohen. Ato 90 minuta mund të jenë luftë, por për mendimin tim, aty ka mbaruar çdo gjë. Partizani e meritonte, është ekipi kampion, të gjithë ne duhet ta respektojmë. 

Ecuria në javët e fundit… 
Jam i bindur që do të vazhdojmë me rezultatet pozitive. Kemi kaluar problemin psikologjik. E kaluam duke u stërvitur shumë, por edhe me fat. Gjithmonë për të kaluar një situatë të vështirë në futboll të duhet edhe pak fat. Në këtë ndeshje e kemi pasur. 

Pikat e dobëta dhe të forta të skuadrës… 
Kemi dhe 2 ndeshje shumë të vështira për të luajtur, duhet të mbarojmë edhe këto 2 ndeshje, më pas klubi do të mundohet të bëjë afrimet e duhura për të qenë sa më të fortë në kupat e Europës.