Intervista e trajnerit të Teutës, Blendi Shkëmbi, dhënë pas ndeshjes që durrsakët barazuan pa gola në transfertën ndaj Bylisit.

Herë dominuat, herë u dominuat nga Bylisi. Pse kaq oshilacione?

E nisëm mirë pjesën e parë, më pas fundi nuk ishte me ritmin e duhur. Të dytën nuk e nisëm mirë dhe me kalimin e kohës, ndodhi e kundërta. Edhe pse ishte me 10 lojtarë Bylisi, nuk bëmë aq shumë për të fituar një ndeshje.

Golat duket se janë një problem te ju. Çfarë ndodh me lojtarët?

Ndoshta është një problem psikologjik më shumë, jo një problem rreshtimi, me 2, 3 apo 4 sulmues. E shoh ekipin në presion dhe kur Bylisi ishte me 10 vetë, bëmë vetëm një dalje të rrjedhshme. Pjesa tjetër ishte dëshirë, asgjë tjetër.

Akoma nuk është gjetur një lojtar sulmi i mirë, për të arritur te objektivat. Ishit më mirë kur edhe kundërshtari ishte me 11 vetë në fushë…

Jam i bindur që nuk është vetëkënaqësi dhe nuk më vjen mirë për këtë. Është më shumë një problem psikologjik. Është një presion që ka ekipi, për të fituar ndeshjen dhe gjërat më elementare nuk i bëjmë si duhet. Zhbalancohemi edhe prapa, pasi rrezikohemi edhe kur kundërshtari është me një lojtar më pak.

Trysni për kreun, apo ka ndërhyrje nga jashtë?

Nuk ka presion nga jashtë apo për kampion, por dëshira për t’u rikthyer te fitorja, është problemi kryesor. Dëshira e tepërt bën të mos kemi qetësinë e duhur.

Çfarë i mungon skuadrës në këto momente?

Do doja të ishte rastësi, por nuk më pëlqen që po zgjat shumë. Të paktën, duhej të shënonim më shumë. Kemi pasur raste, por jam i sigurt që është problem psikologjik. Disa lojtarë në sulm nuk janë as në maksimumin e formës së tyre.