Projekti ka për qëllim të garantojë një mjedis sa më të pastër në një prej zonave më të bukura të bregdetit

Zona e Shkëmbit të Kavajës e njohur në vend për turizmin elitar, për herë të parë ka nisur një projekt pilot për mbledhjen e diferencuar dhe sistemimin ekologjik të mbetjeve të ngurta urbane, duke hedhur hapin e parë për të garantuar një mjedis të pastër dhe sezon pushimesh të kulturuar për mijëra turistë që pritet të mbërrijnë këtë verë.

Ky projekt duhet të merret shembull nga të gjithë njësitë vendore e kryesisht zonat turistike. Projekti për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve urbane është prezantuar nga Ministri i Turizmit Aldo Bumçi, kreu i Komunës së Rrashbullit dhe ambientalisti Sazan Guri, i cili vuri theksin në përdorimin e kësaj metode efikase të mbledhjes së mbeturinave, të cilat e kanë çuar vendin në një kolaps ekologjik.

Projekti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 20 hektarësh zonë bregdetare, e cila nis nga Përroi i Agait deri tek Konvaleshenca, në Plepa. Duke i bërë një pasqyrë situatës së mbetjeve urbane, eksperti i gjeomjedisit Sazan Guri ka deklaruar se zonat bregdetare dhe jo vetëm, vijojnë të jenë të ndotura për shkak të keqmenaxhimit të mbetjeve urbane.

Mesatarisht një familje në këtë zonë “prodhon” deri në dy ton mbetje të ngurta në vit, ose 1.1 kg në ditë. Diferencimi i tyre në qese dhe kosha të veçantë si plastika, qelqi etj duhet të bëhet që në fillim. Kjo zonë turistike e bregdetit durrsak është ndër më të frekuentuarat jo vetëm gjatë sezonit veror, por dhe në stinët e tjera të vitit. Ajo është një nga perlat e Adriatikut e për këtë duhet treguar kujdes nga ana e të gjithëve.