13 korrik 2015 – Pushuesit që kanë zgjedhur të frekuentojnë zonën e Shkëmbit të Kavajës këto ditë të nxehta korriku, duhet të jenë të zhgënjyer pasi kanë mbetur pa ujë.
Banorët e pallateve që ndodhen nga Ura e Plepave deri te Shkëmbi i Kavajës, prej tri ditësh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.
Me ndarjen e re territoriale, kjo zonë që më parë i përkiste komunës së Rrashbullit, i kaloi bashkisë së madhe të Durrësit, dhe tani në kulm të verës dhe sezonit turistik, ku pushuesit janë jo të paktë në numër, ujësjellësi i ka lënë pa ujë.
Nuk është hera e parë që probleme të këtij lloji ndodhin në këtë zonë apo edhe të tjera në bregdetin e Durrësit. Por, para reformës territoriale, komuna e Rrashbullit në sajë të një marrëveshjeje me qytetin e Kavajës, i dhanë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të zonës së Shkëmbit të Kavajës.
Sot, që kjo zonë nuk i përket më Rrashbullit i ndërpritet uji, dhe pasojat e "inateve" të komunave dhe bashkive, bien vetëm mbi kurrizin e qytetarëve dhe pushuesve.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





