Bledi Shkëmbi i gëzohet pikës së marrë në “Selman Stërmasi”. Gjithsesi, trajneri korçar evidentoi disa probleme në lojën e skuadrës së tij.

I kënaqur me barazimin?

Jam i kënaqur me rezultatin dhe deri diku me mënyrën sesi luajtëm. Pas pauzës kishim probleme. Pjesa e dytë ishte diçka më mirë. Patëm shanse për ta fituar takimin, siç pati edhe Tirana me rastet kur goditi traversën.

Teuta vazhdon të vuajë në fazën sulmuese…

Në çdo ndeshje po kërkojmë alternativa në fazën sulmuese. Do të doja që Nikac të shënonte. Humbi një rast të pastër. Jam i kënaqur me dëshirën, me luftën dhe besimin që treguan futbollistët, duke pasur parasysh se kundërshtari ishte shumë i fortë dhe ka bërë merkaton më të mirë këtë vit.

Kundërsulmet nuk patën rrezikshmëri…

Tirana gaboi disa raste, duhet të kishim besimin e duhur për të shënuar dhe për të filtruar topat. Disa lojtarë nuk janë në gjendjen e tyre maksimale dhe kanë probleme psikologjike kur luajnë kundër Tiranës. Do mundohemi të përmirësojmë disa gjëra.

Çfarë nuk ju pëlqeu?

Nuk më pëlqeu mosbesimi për të shënuar dhe për të goditur Tiranën. Edhe pasi i fundit. Në qoftë se do të ishim më të qetë, mendoj do t’i kishim goditur.

Mbrojtësat anësorë dhe maja e sulmit a japin garanci?

I japin garanci klubit dhe mua. Nuk i vlerësoj lojtarët me 2 ndeshje. Të 3 këta lojtarë jam i bindur që do të na ndihmojnë shumë dhe do të jenë ndër lojtarët më të mirë të kampionatit.