Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, pas barazimit me Vllazninë, është dukur i kënaqur me skuadrën, megjithëse u mundua t’i justifikojë të tijtë me ngarkesën e lartë fizike në stërvitje.

Korçari i stolit durrsak la të kuptohet se nuk është i kënaqur me lojën sulmuese dhe pohoi se në merkato pret ndonjë afrim që të bëjë diferencën pikërisht në repartin e avancuar. 

Bledi, si ju është dukur skuadra në këtë ndeshje dhe a është gati ajo për një sezon më të mirë? 

Nëse luajmë si sot, normalisht që nuk jemi gati për sezonin e ri. Mënyra si e luajtëm takimin nuk më pëlqeu, por e kuptoj skuadrën, kuptoj që për lojtarët janë momente të vështira, sepse po ngarkohen shumë fizikisht dhe është normale të hasin vështirësi në këto përballje miqësore. 

Çfarë prisni ende në merkato? 

Sigurisht që në merkato presim lojtarë që të bëjnë diferencën, të na ndihmojnë vërtet në pjesën e sulmit. 

Si ju duk kalendari i kampionatit të ri, që Teuta e nis me Bylisin në shtëpi javën e parë? 

Shorti është gjithmonë i vështirë. Ne e kemi parë që nuk është e thjeshtë me asnjë ekip, cilido qoftë ai. Bylisi është një skuadër që vjen nga Kategoria e Parë, por personalisht e kam parë dhe di që luan një futboll të mirë, ka një skuadër të mirë, kështu që duhet të bëjmë maksimumin dhe duhet të jemi të përgatitur për ta fituar ndeshjen e parë të kampionatit.