Teuta ka pasur gjithë kohën e nevojshme për të përgatitur ndeshjen e radhës në kampionat, që do ta luajë të dielën kundër Kukësit. Një duel mjaft interesant, mes dy skuadrave që momentalisht duan një vend në Kupat e Europës. Por, duket se durrsakët me humbjet që kanë pësuar në javët e fundit kanë vështirësuar pozitat për vendin e tretë.

Trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij janë duke e përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme takimin me verilindorët, pasi do të kërkojnë me patjetër që të dalin me pikë. Objektivi për të marrë pjesë në Kupat e Europës këtë sezon është kryesori dhe tashmë vetëm përmes kampionatit mund të arrihet diçka e tillë.

“Djemtë e detit” janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, prandaj dhe rikthimi në vendin e tretë shihet si objektivi më madhor. Nga fundi i fazës së parë dhe të dytë, durrsakët rritën shanset për një vend në Europë, por fundi i fazës së tretë dhe fillimi i fazës së katërt tregoi oshilacionet e skuadrës. Javët e fundit durrsakët kanë pësuar luhatje, madje duke rrezikuar shumë edhe një vend në Europë nga kampionati.

Në këto kushte, ndeshja e së dielës me Kukësin, që vetëm pak javë më parë eliminoi durrsakët nga çerekfinalja, merr një rëndësi të madhe për vetë situatën ku ndodhen “djemtë e detit”. Edhe pse në skuadër janë të ndërgjegjshëm për vështirësinë që ka ky takim, janë të bindur se mund të fitojnë.Skuadra ka punuar ndjeshëm me kontrollin e topit, por dhe saktësinë në pasime.

Futbollistëve u është kërkuar që të luajnë në bllok, duke mbrojtur dhe sulmuar të gjithë së bashku. Trajneri i ka këshilluar të tijtë që të kenë kujdes, pasi çdo gabim ndaj Kukësit mund t’i ndëshkonte edhe në momentin më të mirë. Kalendari është gjithmonë edhe më i vështirë, por ekipi durrsak po i bën llogaritë duke i marrë ndeshjet një e nga një.

Grupi i plotë para këtij dueli i jep luksin kreut të pankinës së durrsakëve që të zgjedhë më të mirët në fushë. Për takimin e radhës me Kukësin, Shkëmbi do të ketë gati edhe sulmuesin Tomislav Bushiç, që mungon prej 3 javësh për shkak dëmtimi.

Trajneri i Teutës që prej janarit e ka fokusuar lojën te kroati në majën e sulmit, duke mos e preferuar Latif Amadunë, nisur edhe nga mungesa e këtij të fundit në pjesën më të madhe të fazës përgatitore.