Teuta është nisur drejt Bullgarisë mëngjesin e djeshëm, teksa do të stacionohet atje për rreth dy javë për të kryer fazën përgatitore. Për trajnerin Shkëmbi, gjatë kësaj kohe, lind një detyrë ekstra, teksa përgatitjet dhe formësimi i ekipit do të bëhen edhe në bazë të kundërshtarit që shorti rezervoi në turin e parë kualifikues të Europa Ligës.

Numri një i pankinës së skuadrës bregdetare e konsideron një short pozitiv. Sipas tij, sfida me ekipin letonez nuk është më e forta e mundshme nga të gjitha mundësitë që kishte përballë Teuta si kundërshtarë hipotetikë. Sipas Bledi Shkëmbit, Ventspils nuk ishte ekipi më i vështirë i mundshëm.

Nëse analizojmë të gjithë ekipet që kishin mundësi të na binin si rivalë, ndoshta Ventspils nuk është më i vështiri”, nis fjalën e tij trajneri i Teutës. Mirëpo, Shkëmbi nënvizon se në nivele të tilla, vështirësia është e lartë, pavarësisht emrit të rivalit që do të jetë përballë.

“Megjithatë, në kompeticione të tilla, është gjithmonë e vështirë kundër kujtdo që të luash”, vijon korçari. Elokuent dhe gati-gati driblues i mrekullueshëm siç bënte me topin në mesfushë, Shkëmbi gati e fsheh objektivin, por indirekt pranon kualifikimin.

“Do të mundohemi të njohim kundërshtarin dhe duhet të përgatitemi për të kërkuar kualifikimin”, deklaron trajneri i Teutës, referuar dy sfidave kualifikuese në turin e parë.

Numri një i pankinës së durrsakëve e pranon faktin se përballja e fundit e letonezëve me Luftëtarin në një kohë të shkurtër (vetëm 1 vit më parë) e favorizon Teutë, në mënyrë që të ketë njohje dhe ide më të qartë rreth kundërshtarit. Gjithashtu, Shkëmbi pranon që kalendari i jep një tjetër favorizim.

“Luajmë në transfertë të parën dhe kjo është diçka e mirë, sepse edhe ajo ndeshje do të na ndihmojë për të njohur më mirë kundërshtarin që kemi përballë, në mënyrë që në vendin tonë të vendosim fatet e kualifikimit”, ka përfunduar fjalën e tij trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi.