Teuta do të ndeshet me Erzenin në fushën asnjëanëse të Rrogozhinës, ditën e nesërme në orën 13:00, në sfidën e javës së 12-ë të Superiores. Për këtë sfidë, trajneri i durrsakëve, Bledi Shkëmbi, u shpreh se skuadra do të luajë vetëm për tre pikët.
Si ju kanë shërbyer këto 10 ditë për të përgatitur këtë ndeshje?
Na kanë shërbyer shumë për sa i përket anës fizike. Patëm dy ndeshje shumë të vështira në pak ditë. Na duheshin këto ndeshje për t’u përgatitur mirë nga ana taktike. Jemi përgatitur mirë. më vjen keq që në këtë ndeshje në mbrojtje nuk do të jemi të plotë. Por ky nuk është një justifikim. Duhet që të bëjmë maksimumin.
Ka ndonjë mungesë tjetër përveç repartit të mbrojtjes?
Jo, pjesa tjetër është mirë. Jemi stërvitur mirë. Shikoj entuziazëm në skuadër. Shpresoj që këtë ta shprehin dhe në ndeshje.
Nesër vlejnë vetëm tre pikët, apo dhe një barazim nuk është keq?
Për sa i përket Erzenit, mendoj se është skuadra që meriton shumë komplimente. Jo vetëm që ka thyer çdo parashikim, por edhe për atë çka jep në fushë. Sa i përket pjesës tonë, ne do të luajmë për të marrë tre pikët. Ne kemi më shumë nevojë se Erzeni për të marrë tre pikët. Pastaj analizën si kemi luajtur dhe për atë çka meritojmë jepen mbas ndeshjes.
Në stadiumin e Rrogozhinës keni marrë fitoren e parë. Çfarë prisni nesër?
Shpresoj të vazhdojmë të kemi fat. Por jam i bindur që nuk ka të bëj. Këto janë situatat që ne duhet të përshtatemi. Shpresoj që dhe fati i stadiumit të na ndihmojë.
Do të ndikojë pauza e kampionatit?
Mendoj që ne do të na shkoj përshtat personalisht. Do më duhet kjo pauzë për t’u stërvitur, për të bërë ndonjë ndeshje miqësore, por edhe për të parë ndonjë lojtar që nuk e ka pasur mundësinë të shprehet gjatë kampionatit.





