Blendi Shkëmbi u shfaq mjaft i zhgënjyer në përfundim të sfidës që Teuta e tij humbi 3-0 ndaj Partizanit në kryeqytet dhe deklaroi se do të analizojë gjërat me qetësi, edhe me presidentin e skuadrës.
Sa ndikoi agresiviteti i Partizanit sot në humbjen e skuadrës juaj?
Mendoj se ishte faktori kryesor. Kundërshtari pati më shumë dëshirë dhe më shumë grintë. Ishte një ndeshje e shëmtuar, ndaj mendoj se unë dhe lojtarët, duhet t’u kërkojmë falje klubit dhe tifozëve, për këtë ndeshje të shëmtuar që kanë parë. Nga unë mos prisni të them gjë të keqe për lojtarët. Do të flasim me presidentin dhe do t’i shohim gjërat me qetësi. Në klub gjithçka është korrekte, ndaj edhe më vjen keq që ndodh kjo.
Ndeshjet jashtë fushe, vijoni t’i vuani akoma…
E vërtetë, ne punojmë që në çdo fushë të luajmë njësoj, si në Durrës edhe jashtë. Por, jam dakord që kemi një fytyrë tjetër kur luajmë jashtë dhe kjo është e pafalshme. Duhet të punojmë e të ndryshojmë.
Pas një ndeshjeje shumë të mirë me Skënderbeun, duket e çuditshme që mposhteni kaq thjeshtë sot në kryeqytet?
Ajo që më shqetëson nuk është pësimi i golit, por ajo që bëjmë pas pësimit të golit. Gabimi filloi shumë më herët te goli i dytë, por më vjen keq që nuk reaguam. Kemi lojtarë me eksperiencë, lojtarë të mirë, por në fushë askush nuk mori përsipër të ndryshojë.
Deri kur ishte barazim, skuadra luajti mirë. Pas golit, nuk reaguat fare. A i duhet merkato Teutës në janar?
Po, jemi dakord që pas pësimit të golit nuk reaguam. Mesfushorët që kam, me merakton që është bërë, i kemi të mirë. Jam i kënaqur me nivelin dhe se si stërviten. Nëse do kishte ardhur dikush më i mirë, normale që do e kishim marrë, brenda mundësive.
Disa titullarë, për të cilët ju vutë veton që të vinin, nuk po ju përgjigjen?
Keni të drejtë për shumë gjëra, por si tip jam pak më praktik. Të gjithë lojtarët që kanë ardhur, unë kam vënë veton. Kam pasur besim dhe kam ende te ata. Ju mundoheni ta thoni nën zë, por nëse këta lojtarë që kam sjellë unë nuk funksionojnë, do marr unë përgjegjësi duke u larguar. Mos prisni prej meje të shaj lojtarët.





