Tefik Osmani e ka nisur zyrtarisht aventurën e tij me klubin e Teutës. Trajneri i durrsakëve, Bledi Shkëmbi i ka bërë një skaner Teutës së tij. Osmani u bë një nga lojtarët më të përfolur të merkatos ku shumë klube të Superiores kërkonin që të siguronin shërbimet e tij, por në fund ai ka vendosur për Teutën.

Një rol të madh në këtë vendim ka pasur edhe korçari Bledi Shkëmbi, trajneri i durrsakëve dhe ish-shoku i ekipit te Skënderbeu. Përvoja e Osmanit pritet ti japë shumë skuadrës bregdetare.

"Është pak situatë e ndërlikuar pjesa e Osmanit kështu që më mirë ndoshta e di Osmani. Për  mua e rëndësishme është që u bashkua me ekipin tonë dhe për ne patjetër që do të jetë një ndihmë shumë e  madhe me eksperiencën e tij dhe me nivelin që ka. Kemi zhvilluar një fazë si e mendonim dhe do të ishte më mirë që të ishte i gjithë grupi që në fillim, pasi disa erdhën në momentet e fundit. Por e rëndësishme nga faza përgatitore gjithmonë është që të paktën arritëm atë që donim dhe nuk patëm probleme me dëmtimet. Patjetër, me ardhjen e Bicit dhe Osmanit kemi fituar shumë, është e mirë për ne. Po mendoj se nëse ka në treg një lojtar që bën diferencën, është gjithmonë i mirëseardhur. Por deri diku me afrimet e fundit jemi "OK".Objektivi i Teutës është të synojmë vendet e para të tabelës, e kam thënë që në fillim që Teuta është mësuar të luajë në Kupat e Europës dhe ne këtë do të synojmë këtë vit. E dimë që është një kampionat i gjatë dhe i vështirë, por gara pa synime është e pavlerë, dhe ky është synimi ynë".– ka thënë trajneri Shkëmbi duke i prekur të gjitha çështjet e skuadrës.