Bledi Shkëmbi nuk ka dashur të reagojë në lidhje me shigjetimet apo ironitë që i janë drejtuar së fundmi nga ish kolegë apo lojtarë.

I vënë në qendër të kritikave nga Endri Vrapi, ish-krahu i djathtë i tij deri në fillimin e këtij sezoni; deri në momentin që Shkëmbi do ta largonte nga stafi teknik i durrsakëve.

"Mendoja se isha krahu i tij i djathtë, por paskam qenë i majti", u shpreh ish-mbrojtësi i një sërë skuadrave në Shqipëri.

Së fundmi, edhe Isli Hidi që deri sezonin e shkuar ishte nën urdhrat e korçarit tek Teuta, ka ironizuar duke thënë në një emision sportiv se "Shkëmbi e ka rritur atë në moshën 38-vjeçare".

Këto qejfmbetje duket se shkojnë përtej raporteve profesionale, duke ndikuar edhe në klimën e grupit apo rezultatet e një ekipi.

Bledi Shkëmbi ka "dribluar" kritikat duke dhënë një përgjigje diplomatike, për t'u shmangur në këtë mënyrë nga tema. "Nuk kam gjë për të thënë, veçse suksese" ishte përgjigjia e ish-kapitenit të Skënderbeut.