Derbi i dytë do të rikthejë spektaklin në Superiore. TeutaErzeni, mbetet një vitrinë për futbollin shqiptar. Pa diskutim sfida me më e rëndësishme, në të njëjtën kohë një ndeshje që mund të ndryshojë jo pak fatet e sezonit. Teuta sheh shpëtimin pikërisht nga sfida ndaj rivalëve shijakas.
Një fitore e mundshme ndaj Erzenit mund të shuajë të gjithë gabimet e bëra deri më tani, mund t’i japë sezonit të Teutës një kthesë të fortë. Në të njëjtën kohë, një tjetër hap fals do të ishte fatal për blutë. Shumë pikë diferencë në 11 javë janë shumë. Teuta vijoi me entuziazëm stërvitjen në prag të derbit të kësaj të hëne me Erzenin.
Barazimi përballë Bylisit në shifrat 0-0 ka lënë një shije të hidhur në kampin blu, duke qenë se shpresonin të dilnin me tri pikë nga ajo ndeshje. Në Durrës mendojnë se i kanë në dorë vetë fatet e tyre këtë kampionat dhe nëse fitojnë në ndeshjet që kanë, atëherë nuk e shohin veten të varur nga kundërshtarët.
Ndeshjen e radhës pritet që tekniku Shkëmbi të bëjë disa ndryshime, ndryshe nga sfida me Bylisin, ku alternativat duken më të shumta. Kështu, pas rikthimeve të lojtarëve të dëmtuar tashmë presim të shohim një tjetër Teutë. Nga ana tjetër, pritet edhe aktivizimi i Qaqit dhe Çyrbes, të rikuperuar në javën e fundit.
Trajneri Bledi Shkëmbi i kishte të gjithë lojtarët në dispozicion, përjashto vetëm Vilën, Jazxhi dhe Marakun, që janë grumbulluar me ekipin kombëtar për miqësoren ndaj Katarit, por do të jenë gati për përballjen e madhe. Për trajnerin Shkëmbi është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe për objektivat.
Për këtë arsye, tekniku i bluve fillimisht zhvilloi një analizë me të gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin. Shkëmbi e ndau fillimisht skuadrën në tri grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve.