Të martën pasdite presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, zhvilloi një takim me trajnerin e sapoemëruar, Bledi Shkëmbi për të vendosur “piketat” për merkaton dhe fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri. 38- vjeçari akoma nuk ka vendosur se kush do të jetë ndihmësi i tij dhe trajneri i portierëve, ndërsa përgatitësi atletik do të jetë Iris Selimi.
Burime pranë trajnerit të bregdetarëve bëjnë me dije se Shkëmbi preferon Erbim Fagun si ndihmëstrajner, me të cilin ka luajtur te Skënderbeu gjatë viteve 2010-2014. Ish-mbrojtësi i djathtë u tërhoq nga futbolli në moshën 27-vjeçare për shkak të një dëmtimi të rëndë, por në këtë periudhë ka ndjekur kurset e FSHF-së për trajner.
Gjithashtu ka punuar trajner me të rinjtë e Akademisë së Futbollit.Pas zyrtarizimit të trajnerit Shkëmbi, tani e gjithë vëmendja e drejtuesve të Teutës është tërësish te merkato, ku priten disa afrime të rëndësishme. Prioritet janë dy mbrojtës qendre, dy mesfushorë dhe një sulmues goli. Mesfushori kosovar, Florent Avdyli, i cili mbylli sezonin te Liria e Prizrenit, është shumë afër marrëveshjes me bregdetarët. Ai pritet të jetë afrimi i dytë pas mbrojtësit të majtë Edison Ndreca, që firmosi tri ditë më parë, duke hapur zyrtarisht merkaton e durrsakëve. Një tjetër çështje që kërkon zgjidhje është edhe faza përgatitore.
Ndryshe nga një vit më parë ku zgjodhën Italinë, në këtë edicion drejtuesit e Teutës kanë dy opsione: Bullgarinë dhe Slloveninë. Kushtet në këto dy shtete janë të shkëlqyer, pasi kanë qenë edhe sezone më parë, teksa preferohen edhe nga klube të mëdha europiane. Akoma nuk është vendosur data për fillimin e përgatitjeve, por besohet se në fillim të korrikut bregdetarët do të zbresin në fushë nën drejtimin e Shkëmbit për të gjetur ritmin për sezonin 2018-2019. Fillimisht do të qëndrojnë një javë në Durrës dhe më pas do të nisen drejt Bullgarisë ose Sllovenisë, mbetet për t’u përcaktuar.





