18 nëntor 2015 – Vazhdon frika dhe terrori në Paris. Policët kanë rrethuar një apartament, në një operacion që ka lidhje me sulmet e 13 nëntorit në kryeqytetin francez. Shpërthime dhe të shtëna arme janë dëgjuar në Saint Denis, ku mendohet se janë vrarë edhe 3 të dyshuar. Mes tyre, mediet e huaja thonë se është edhe një femër e cila hodhi veten në erë me një jelek-eksploziv.

Fokusi i këtij operacioni të policisë franceze është Abdelhamid Abaaoud, truri i atentateve që shkaktuan 129 viktima. Të gjitha rrugët e Saint Denis, në distriktin ku dy persona shpërthyen bomba në afërsi të stadiumit “Stade de France”, janë bllokuar, ndërkohë që operacioni është në vijim.

Po sipas medieve ndërkombëtare, në këtë operacion janë plagosur edhe oficerë policie, ndërkohë që janë arrestuar edhe 3 persona që dyshohet se kanë lidhje me sulmet e tmerrshme në Paris.

Njerëzit që jetojnë në Saint Denis i janë nënshtruar kontrolleve të rrepta dhe zona është e rrethuar nga ushtria. Dyqanet dhe shkollat janë mbyllur, ndërsa transporti publik është paralizuar.

/portali DurresLajm/